Orët e para të mëngjesit të kësaj të premte Kanë mbërritur në Shqipëri 121 afganët e parë , mes tyre edhe 11 fëmijë ku pas kryerjes së kontrolleve shëndetësore në aeroportin e Rinasit në Tiranë ata janë strehuar përkohësisht në struktura hoteliere në qytetin bregdetar të Durrësit, ku në të njëjtat ambiente me ta po qëndrojnë edhe pushuesit.
Top Channel bisedoi për pak me ta, të cilët me plaçka në duar po shkonin në dhoma për tu akomoduar. ‘Mirë se vini në Shqipëri’ u thamë dhe morëm veç buzëqeshjeve , falenderim për mikëpritjen.
Ata ndihen më të sigurt tani më, megjithatë komunikimi nuk zgjati shumë pasi punonjës psiko-social, punonjës organizatash kujdeseshin për ta që të mos kishin kontakte me shqiptarët. Resorti ku po strehohen është rrethuar me perimetër sigurie, lëvizja për pushuesit është e kufizuar dhe kudo shikon punonjës të sigurisë private.
Jashtë vilave dy tre katëshe brenda resortit luksoz ku janë strehur afganët është në gatishmëri edhe një ambulancë. Afganët nuk kursejnë pozitivitetin teksa ndeshemi me ta, por në sy ju lexon tmerrin qe kanë kaluar dhe pasigurinë për jetën e re që duhet të nisin me familjet e tyre në një vend të panjohur. Fëmijët i janë kthyer lojës, ku në oborrin e gjelbëruar ndjekin veprimet e punonjëses së psikologes.
Top Channel