Vizita e Presidentit Erdogan në Mal të Zi cilësohet si historike

26/08/2021 08:36

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) do të vizitojë Malin e Zi me 28 gusht, njofton Ministria e Jashtme e vendit.

Dakordimi rreth vizitës erdhi pas takimit në Kiev të ministrit të Jashtëm, Gjorgje Radulloviq me homologun e tij turk Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu). Vizita e paralajmëruar vite më parë dhe e shumëpritur në mal të Zi cilësohet si historike në kohën kur Mali i Zi dhe Turqia po zhvillojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe bashkëpunim në të gjitha fushat. S’ka dyshim që kjo vizitë do t’i intensifikojë edhe më shumë raportet midis dy vendeve.

ShBA-ja bën thirrje për uljen e tensioneve në Mal të Zi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë shprehur shqetësim për “përshkallëzimin e retorikës politike” në Mal të Zi në prag të ceremonisë së marrjes së detyrës së mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije. ShBA-ja u bëri thirrje të gjitha palëve që të punojnë për të qetësuar tensionet. “Ne inkurajojmë autoritetet malazeze dhe Mitropolinë e Kishës Ortodokse Serbe që të bashkëpunojnë ngushtë dhe mbi të gjitha të garantojnë sigurinë e qytetarëve”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. Kisha Ortodokse Serbe ka njoftuar se marrja e detyrës nga ana e Joanikijes do të bëhet më 5 shtator në Cetinë. Aty pritet të marrin pjesë patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Porfirije dhe priftërinj të tjerë të lartë. Mirëpo kjo ceremoni kundërshtohet nga Komuna e Cetinës, disa organizata malazeze dhe Partia Demokratike e Socialistëve e udhëhequr nga presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Një protestë u mbajt më 22 gusht, ku u kërkua që ceremonia e kurorëzimit të Joanikijes në Cetinë të konsiderohet si një “akt pushtues”. Departamenti i Shtetit vlerëson gjithashtu se Mali i Zi është i “njohur për një kohë të gjatë si një vend tolerant” dhe se të gjithë “qytetarët duhet të kryejnë pjesën e tyre të obligimeve për të respektuar këtë traditë krenare”. (…) “Ne u bëjmë thirrje të gjithëve, qytetarëve, udhëheqësve politikë dhe fetarë, të punojnë në qetësimin e tensioneve”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

661 raste të reja dhe dhjetë viktima nga COVID-19 

Në Mal të Zi u diagnostikuan edhe 661 raste të reja pozitive me koronavirus, 616 në mesin e qytetarëve dhe 44 në mesin e turistëve që qëndrojnë në territorin e Malit të Zi, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Sipas ISHP-së u shënuan edhe nëntë viktima si pasojë e koronavirusit. Numri i përgjithshëm i vdekjeve të lidhura me infeksionin Covid-19 në Malin e Zi që nga fillimi i pandemisë është 1.690, ndërkohë që u raportua shërimi i 329 pacientëve, kështu që numri i përgjithshëm i rasteve aktualisht aktive me Covid-19 në Mal të Zi është 6.748. Nga fillimi i pandemisë e deri më tani në Mal të Zi janë regjistruar 11.138 raste infektimi me korona virus.

Sistemi shëndetësor është i gatshëm të ballafaqohet me rritjen e numrit të sëmurëve nga koronavirusi

Sistemi shëndetësor është i gatshëm të ballafaqohet me rritjen e numrit të sëmurëve nga korona virusi, deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Jelena Boroviniq Bojoviq. Numri më i madh i të infektuarve, siç deklaron ministrja, është i moshës në mes 30 dhe 39 vjeç, kurse në hospitalizim aktualisht janë më pak se 4 për qind. Ajo është shprehur se numri i të infektuarve të rinj në periudhën e ardhshme do të rritet tek ne, por edhe në botë, por siç shprehet ajo, nëse i respektojmë masat do të vijnë deri te rënia e numrit të infektuarave. Ministrja ka theksuar se mbyllja nuk është më opsion. Boroviniq Bojoviq ka theksuar se sistemi shëndetësor i gatshëm e ka pritur situatën aktuale epidemiologjike në Mal të Zi. Ajo ka theksuar se shëndeti duhet të jetë në harmoni me mirëqenien psikologjike dhe sociale. Si Ministri e Shëndetësisë gjithherë angazhohemi për ato masa të cilat në rend të parë nënkuptojnë mbrojtjen e shëndetit fizik, por në anën tjetër nuk duhet të harrojmë se ekzistojnë edhe segmentet tjera të shëndetit, konsekuenca të cilat në të ardhmen do t’i përcjellim gjatë./Zëri i Turqisë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA