Prezantuesja e radios në BBC, e vlerësuar me disa çmime ka humbur jetën, si pasojë e komplikimeve që i kishte shkaktuar vaksina kundër koronavirusit ‘AstraZeneca’. Ky është rezultati i raportit mjekoligjor, i cili është bërë publik sot.
Lisa Shaw, e cila punonte për BBC Radio Newcastle, ndërroi jetë në spitalin Royal Victoria, në maj të këtij viti, rreth tre javë pasi mori dozën e parë të vaksinës të zhvilluar nga akademikët në Universitetin e Oksfordit.
Shaw, 44 vjeç, ishte shtruar në spital pasi mjekët që hetonin ankesat e saj për dhimbje koke zbuluan se ajo kishte pësuar një hemorragji në tru, shkruan “The Guardian”.
Karen Dilks, mjeku i lartë mjekësor për Newcastle njoftoi se: “Lisa vdiq për shkak të komplikimeve të një vaksine AstraZeneca covid”.
Vdekja e Shaw erdhi disa javë, pasi paneli këshillues i vaksinave në Mbretërinë e Bashkuar kufizoi përdorimin e vaksinës Oxford/AstraZeneca në moshën mbi 40 vjeç, pas raporteve të rralla, se ajo shkaktonte mpiksje gjaku.
Një numër vendesh të tjera vendosën kufizime të ngjashme ose pezulluan plotësisht përdorimin e vaksinës.
Top Channel