Një aksident i rëndë në aksin Sarandë-Gjirokastër i mori jetën pesë personave.
Siç mund të shihet edhe nga pamjet e siguruara një vajzë, identiteti i së cilës ende nuk bëhet me dije, ka mbërritur në spitalin e Gjirokastrës për ndihmë mjekësore ndërsa nuk dihet ende gjendja e saj shëndetësore.
Sipas informacioneve të siguruara mësohet se një furgon që udhëtonte nga Saranda drejt Gjirokastrës është përplasur me një mjet tip “Land Rover”.
Si pasojë e përplasjes mjeti tip forgon ka dalë nga rruga në qafën e Muzinës dhe ka përfunduar në humnerë, ndërsa pesë persona që ndodheshin në mjet kanë humbur jetën.
Disa persona janë transportuar për në spitalin e Gjirokastrës, ndërsa në vendngjarje po punohet për të nxjerrë edhe një person që është i bllokuar në automjet.
Gjirokastër/Informacion paraprak.
Njoftohemi se rreth orës 15:30, në rrugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, në vendin e quajtur Muzinë, mjeti tip “Land Rover” me drejtuese shtetasen R. Ç. është përplasur me mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. P.
Si pasojë e përplasjes mjeti tip furgon ka dal nga rruga dhe ka përfunduar disa metra poshtë rrugës.
Për pasojë kanë humbur jetën 5 shtetas, të cilët ndodheshin në mjetin tip furgon.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Top Channel