Mbrojtje të përkohshme afganëve/ Vendimi i qeverisë shqiptare para mbërritjes së të ikurve nga Afganistani

26/08/2021 13:38

Strehimi nga ana e Shqipërisë e afganëve që po largohen nga vendi i tyre për shkak të talebanëve ofronte edhe një sfidë juridike. Autoritetet shqiptare kanë diskutuar gjerësisht me diplomatët amerikanë për këtë arsye.

Mbërritja dhe strehimi fizik kërkon edhe një mbështetje ligjore dhe nëse kjo nuk do bëhej për afganët që do qëndrojnë në Shqipëri krijohet një situatë e pasigurt juridike. Për këtë arsye, ministria e jashtme, e cila ka biseduar e para me autoritetet dhe diplomatët amerikanë ka propozuar që të jepet një vendim qeverie.

Ky vendim për dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në republikën islamike të Afganistanit mbështetet në ligjin për azilin. Ky ligj në nenin 82 parashikon dhënien e kësaj mbrojtje që shkon nga një vit deri në tre vite. Qeveria shqiptare ka nxjerrë vendimin që lehtëson strehimin dhe justifikon edhe vendosjen e burimeve financiare në ndihmë të operacionit të strehimit të afganëve.

Në këtë vendim përcaktohet që mbrojtje do marrin të gjithë ata persona me shtetësi e kombësi afgane por edhe pa shtetësi por me vendqëndrim në Afganistan që hyjnë masivisht dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë në territorin e Republikës së Shqipërisë, për arsye të luftës, situatës së ngjashme, dhunës së përgjithshme dhe konfliktit të brendshëm, të karakterizuara nga shkelje të të drejtave të njeriut dhe që kërkojnë mbrojtje nga Republika e Shqipërisë. Në vend përcaktohet edhe krijimi i Task-Forcës, për menaxhimin e fluksit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare.

Taskforca përbëhet nga Ministri i Brendshëm, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Financave, Ministri i Arsimit, Ministri i Shëndetësisë si dhe Ministri i Turizmit. Kjo task forcë do hartojë edhe planin, koordinojë punën, evidentojë nevojat dhe analizojë kërkesat shtesë buxhetore për funksionimin, shpenzimet dhe bazën e nevojshme materiale, si dhe koordinon fondet e donatorëve për këtë qëlllim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA