Presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar pas lajmit që tronditi mbarë opinionin këtë të enjte.
Një aksident tragjik i mori jetën pesë pasagjerëve të cilët udhëtonin në një furgon të linjës Tiranë-Sarandë.
Për t’iu shmangur përplasjes me një tjetër automjet tip ‘Land Rover’, furgoni me drejtues shtetasin Bardhi Porda, i cili gjithashtu humbi jetën në këtë aksident tragjik, ka përfunduar në greminë, nga rreth 20 metra lartësi.
Meta shkruan se është thellësisht i pikëlluar për jetët e humbura, ndërsa i bën thirrje qytetarëve të udhëtojnë me kujdes dhe nxit policinë rrugore që në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik të marrin çdo masë për parandalimin e aksidenteve të rënda.
Postimi i plotë i Presidentit Meta:
Thellësisht i pikëlluar për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Qafë-Muzinë.
Ndaj dhembjen e thellë dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe të gjithë solidaritetin familjarëve të tyre!
Të lënduarve ju uroj shërim sa më të shpejtë dhe i përgëzoj autoritetet shëndetësore për kujdesin dhe ndihmën që po u japin në këto momente të vështira!
Një apel të fortë u bëj të gjithë qytetarëve për të udhëtuar me shumë kujdes dhe dëshmuar përgjegjshmëri të lartë në drejtimin e automjeteve, në mënyrë që të tilla tragjedi tronditëse të shmangen në të ardhmen.
E nxis Policinë Rrugore dhe çdo strukturë tjetër përgjegjëse, që në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik, të marrin çdo masë efektive për parandalimin e aksidenteve kaq të rënda, që fatkeqësisht po bëhen kaq të shpeshta në rrugët e Shqipërisë.
Top Channel