Përfaqësuesi talebanëve, Suhail Sahin në një intervistë televizive zotohet se të huajt dhe prona e tyre që do të mbeten në Afganistan pas 31 gushtit, kur është edhe afati i fundit i evakuimeve, nuk janë në rrezik.
Teksa ka folur për gratë, rolin dhe të drejtat e tyre Sahin tha se ato do kenë të gjitha të drejtat për tu shkolluar e punuar, por ndryshimi i vetëm është se duhet të mbajnë hixhab.
“Ata do të kenë të gjitha të drejtat për qasje në arsim, punë. Ndryshimi i vetëm që do të ndodhë do të jetë përdorimi i hixhabit. Ata duhet të mbajnë hixhab. Ata do të kenë të njëjtat të drejta si gratë në vendet e tjera. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në vendin tonë”.
Teksa u pyet se a do duhet që gratë që lëvizin në rrugë të jenë të shoqëruara nga një burrë, ai deklaroi se nuk do të jetë nevoja.
“Nuk ka nevojë të shoqërohesh nga një burrë. Kur gratë dhe vajzat të shkojnë në shkollë, ato nuk do të shoqërohen nga një burrë”.
I pyetur se çfarë do të ndodhë me ata që kanë punuar ose kanë bashkëpunuar me forcat amerikane dhe nuk e kapin dot afatin e evakuimit dhe nëse do të ketë amnisti për ta, Sahin u shpreh: “Po, do të ketë një amnisti për ta. Ata nuk do të përballen me asnjë problem. Pra, pse ata duhet të kenë frikë, pasi ne tashmë kemi njoftuar, dy ose tre herë, se ata nuk janë në asnjë rrezik”.
Top Channel