Najada Çomo dorëzon mandatin e deputetes, Rama: Kërkoi tërheqjen kur varianti “Delta” nisi të mbushë shtretërit e terapisë intensive

25/08/2021 12:19

Pas shtimit të rasteve të reja me Covid-19 në vendin tonë si pasojë e variantit “Delta”, kryemministri Rama ka zbuluar se Najada Çomo ka dorëzuar mandatin e deputetes.

Shefja e shërbimit infektiv ka zgjedhur të vijojë punën e saj në shërbimin infektiv pasi është rritur shifra e personave të shtruar. Deri tani numërohen 90 të shtruar, disa prej të cilëve ndodhen në terapinë intensive.

Rama: Jam i prekur nga komunikimi me Najada Çomon, ajo më kërkoi para pak kohe të pranoja tërheqjen e saj nga roli i ri i deputetes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj kur varianti Delta i virusit arriti të rimbushë shtretërit e pavionit të terapisë intensive. E falenderoj për këtë shembull kuptimplotë dhe i them sot një faleminderit shumë të madhe. Lufta nuk ka mbaruar, vjeshta dhe dimri mund të jenë të vështirë.

Fjalën e tij përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës, kryeministri Edi Rama e nisi me dy sfidat e mëdha të këtij mandati, tërmetin tragjik të 26 nëntorit 2019 dhe pandeminë e koronavirusit.

Rama: Sot zhvillojmë mbledhjen e parë në këtë që nga fillimi i pandemisë kur kjo qeveri është në finishin e 4 vjeçarit të saj. Duke ju falenderuar ju dhe të gjithë të tjerët që kontribuan në këtë tryezë që prej shtatorit, dua të them disa fjalë edhe në sytë e opinionit publik.

Mbyllet me një notë pozitive puna e një mandati të vështirë me tërmetin dhe pandeminë. Jam krenar. Kemi marrë një avantazh të konsiderueshëm dhe përtej çdo konsiderate, lëvdata apo kritike se si i kemi menaxhuar këto dy kriza, kjo do të jetë një nga gjurmët e pashlyeshme të kësaj qeverie.

Fushata e vaksinimit po modern valën e tretë. Fatkeqësisht kemi fatalitete dhe sot që flasim. Ato janë një mësim domethënës për rëndësinë jetike të vaksinimit. Askush prej atyre që sot marrin frymëmarrje të asistuar nga respiratorët nuk është i vaksinuar. Ndërkohë që disa të vaksinuar nuk shfaqën shenja rëndimi të gjendjes. Gjithashtu për skeptikët e vaksinës Sinovac që kërkojnë medoemos Pfizer, mbase vlen e dhëna se në spital ndodhen gjysmë për gjysmë të vaksinuarit me Pfizer dhe Sinovac.

I bëj thirrje të mos humbasin kohë me mendimin e gabuar që Pfizer bën, Sinovac s’bën por të përfitojnë një orë e më parë nga vaksina. Vaksinohuni! Teoritë e konspiracionit e lënë trupin e njeriut të paarmatosur. Nëse sot jemi më të mbrojtur, ka vetëm një arsye, numri i lartë i të vaksinuarve në Shqipëri. Të gjitha studimet thonë që nuk ka imunitet natyral afatgjatë ndaj këtij virusi afatgjatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA