Trupat e SHBA-së kryen për të parën herë në tokën amerikane testimin e sistemit të mbrojtjes raketore Iron Dome, apo Kupola e Hekurt me ndihmën e firmave izraelite.
Kjo ishte prova e parë me zjarr të vërtetë në të cilën ushtarët amerikanë, duke përdorur Iron Dome, rrëzuan objektiva, përfshirë këtu edhe dronë.
Sistemi i famshëm izraelit, i projektuar fillimisht vetëm për të kapur raketa te thjeshta, është përmirësuar ndjeshëm që prej atëherë e tani mund të godasë edhe predha mortajash, mjete ajrore pa pilot apo dhe raketat e fuqishme cruise. Në bazë të një marrëveshjeje të vitit 2019, Izraeli i shiti Shteteve të Bashkuara dy bateri të Kupolës së Hekurt.
E para u dorëzua në fund të 2020-tës, e dyta në janar të vitit 2021. Që atëherë, ushtria amerikane ka punuar për të integruar këtë sistem në grupin e saj të mbrojtjes ajrore. Testet u kryen në poligonin e White Sands, me asistencën e prodhuesve izraelitë të Iron Dome, kontraktuesit Rafael, IAI Elta dhe mPrest. Izraeli është i interesuar ta shesë sistemin e tij antiajror jashtë vendit, por pa i ekspozuar teknologjitë e pronësisë që e bëjnë atë të funksionojë, pasi një informacion i tillë mund të përdoret nga armiqtë e vendit për të mposhtur Iron Dome.
Top Channel