Ekzekutimi në Lushnje, shoqërohen 15 persona, autorët në arrati/ Ja si është gjendja shëndetësore e pesë të plagosurve

24/08/2021 10:54

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në një prej lokaleve në pedonalen e Lushnjes.

Bledar Muça, administratori i lokalit ku ndodhi ngjarja mbeti i vrarë, ndërsa 5 persona të tjera u plagosën.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se 15 persona janë shoqëruar në polici, si dëshmitarë të vrasjes.

Të plagosurit, shtetasit Ervis Tafa dhe Sara Liçi, 24 vjeçe, Eksara Sauli 26 vjeçe, Majlinda Gjyla 66 vjeçe ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Lushnjes, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa Judmir Velo është nisur drejt Tiranës për mjekim më të specializuar për shkak të plumbit që ka marrë në këmbë.

Velo është nipi i Roland Shytit, i cili njihet ndryshe edhe si “mustaqe kuqi” dhe anëtar i bandës hakmarrja për drejtësi. Biznesmeni Muça, babai i dy fëmijëve, kishte për grua mbesën e këtij të fundit.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ndodhi në pedonalen e qytetit, ndërsa Bleda Muça ishte i ulur në tavolinën e një prej lokaleve të cilën ai administronte, ndërsa ishte nën shoqërinë e disa personave.

Autorët kanë qëlluar nga dritarja e makinës, që dyshohet se ishte me targa italiane, në drejtim të Muçës, i cili ka qenë i ulur në tavolinë, në ambientet e brendshme të lokalit dhe janë dërguar menjëherë nga vendngjarja.

Rreth 18 kilometra larg nga qyteti i Lushnjës, në fshatin Thanasaj të Lushnjës u gjet i djegur një automjet i cili dyshohet se ishte i autorëve.

Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Top Channel