Javën që lamë pas është shënuar numër i madh i të infektuarve me koronavirus në Kosovë, duke rritur edhe numrin e të shtruarve në spitale.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Valbon Krasniqi një ditë më parë bëri të ditur se ka rritje drastike të numrit të pacientëve me koronavirus që kërkojmë trajtim.
Sipas tij, çdo ditë po shtrohen në spitale gati 100 pacientë.
E për shkak të kësaj situate, Krasniqi ka thënë se detyrohen që në spitale të trajtojnë vetëm rastet e rënda, derisa kërkon që pacientët të trajtohen edhe në qendra të mjekësisë familjare.
“Edhe në të kaluarën kemi parë që ka funksionuar mirë trajtimi i pacientëve në QMF”, ka deklaruar Krasniqi në RTV Dukagjini.
Krasniqi thotë se nga dita e hënë në klinikat e QKUK-së do të reduktohen shumë shërbime në mënyrë që mjekët të fokusohen te pacientët me koronavirus.
“…Jemi të detyruar t’i pezullojmë programet jo emergjente, ndërsa vizitat në ambulanca specialistike do të reduktohen në 50%. Kërkojmë ndjesë edhe ndaj punëtoreve shëndetësorë pasi jemi detyruar të ndërpresim edhe pushimet e tyre vjetore që të kemi personel të mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve”, deklaroi ndër të tjera Krasniqi.
Drejtori i SHKUK-së thotë se për herë të parë në Klinikën e Pediatrisë janë të shtruar 10 fëmijë të prekur me koronavirus.
Top Channel