Deficiti i skemës së pensioneve është thelluar më tej në pjesën e parë të vitit, pavarësisht ecurisë pozitive të të ardhurave nga sigurimet shoqërore dhe rritjes së pagës minimale.
Sipas ISSH-së niveli i shpenzimeve që nuk mbuluan dot të ardhurat arriti në 12.6 miliardë lekë, rreth 23% më shumë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, duke shtuar kështu presionin për buxhetin e shtetit.
Eksperti për ekonominë Adrian Civici shpjegon se cilët janë faktorët që po pengojnë balancimin e skemës së pensioneve.
“Problemin ne e kemi jo thjesht te mënyra e organizimit të skemës së pensionit, por te faktorët strukturorë që ndikojnë. Te ndryshimi i strukturës demografike, te plakja e popullsisë, pra të shtimi i numrit të atyre që përfitojnë pension, te zvogëlimi i futjeve të reja në tregun e punës dhe te raporti ndërmjet kontribuuesve dhe përfituesve që ka bërë që në këto periudha buxheti i shtetit është e vetmja zgjidhje për ta mbajtur në ekuilibër skemën e pensioneve.”
Sipas Civicit, qeveria duhet të marrë masa për të ngushtuar boshllëkun e skemës së pensionit, ku më emergjente shton ai është formalizimi i punonjësve në të zezë.
“Lufta ndaj informalitetit mbetet një nga masat afatshkurtra, më të shpejta dhe më të domosdoshme që duhen marrë. Nga ana tjetër në një aspekt më të gjerë duhet të punohet më shumë për rritjen e punësuarve që kontribuojnë në skemën e pensioneve, shoqëruar kjo me rritjen e pensioneve vullnetare dhe pensionet private. Në një periudhë më afatgjatë mendoj se kemi nevojë për një reformë strukturore për ta ekuilibruar për një periudhë afatgjatë skemën e pensioneve.”
Që prej vitit 1990 kur numëroheshin 1,4 milionë kontribues, numri i tyre ka rënë ndjeshëm në rreth 778 mijë kontribuues në 2021, në rreth 600 mijë më pak që prej asaj kohe, duke e bërë shumë problematike skemën e pensioneve që rrit gjithnjë e më shumë nevojën për fonde shtesë për subvencionimin e tyre.
Top Channel