Ankesat për ankandin e Vllaznisë, Komisioni i Prokurimit Publik: Është zhvilluar sipas rregullave

23/08/2021 13:48

Komisioni i Prokurimit Publik i ka kthyer përgjigje Bashkisë Shkodër pas ankesave të bëra nga pjesëtarët që morën pjesë në ankand.

Sipas Komisionit ankandi është zhvilluar sipas rregullave dhe nuk ka asnjë problem, kështu që bashkia mund të vazhdojë normalisht me procedurat e mbetura dhe të shpallë fituesin.

Komisioni i Prokurimit Publik

Komisioni i Prokurimit Publik – KPP ka sjellë zyrtarisht në Bashkinë e Shkodrës përgjigjen përfundimtare për procesin e ankandit të KF Vllaznia sh.a.

KPP ka lënë në fuqi vendimin e Autoritetit Shitës – Bashkia e Shkodrës, duke certifikuar të gjitha etapat e procedurës së ndjekur për ankandin e KF Vllaznia sh.a.

Që në ditën e parë të shpalljes, ka qenë një proces ligjor, transparent dhe në komunikim me publikun. Janë respektuar me rigorozitet ligjet dhe aktet e tjera ligjore që rregullojnë procedurat e ankandit në Shqipëri.

Tashmë, pas vendimit të KPP, ankandi i KF Vllaznia sh.a. po shkon drejt përmbylljes, duke shënuar privatizimin e parë në Shqipëri për një klub futbolli.

Jemi krenarë që Vllaznia jonë është përsëri e para edhe në ketë procedurë.
Falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit që kanë treguar interes për një emër të madh siç është Vllaznia jonë.

Klubi kuqeblu përgatitet të nisë një fazë të re të aktivitetit, duke u administruar ashtu si të gjitha klubet e tjera të suksesshme në vend e botë. Siç kemi konfirmuar edhe më herët, si një emblemë identifikuese e Shkodrës, shkodranëve e mijëra tifozëve, Bashkia Shkodër do të vazhdojë të kontribuojë për Vllazninë e futbollit siç edhe për të gjitha sportet.

Në fund, një falenderim për tifozët e mrekullueshëm kuqeblu, të të gjitha kohërave, kudo ku ndodhen. Mbështetja e tyre edhe gjatë procesit të ankandit, është një vlerë shtuar e qendrueshme për Vllazninë dhe sukseset e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA