Presidenti i ri iranian, Ebrahim Raisi, ka thënë se Qeveria e tij do të ketë prioritet luftën kundër koronavirusit.
“Prioritet fillestar i Qeverisë është kontrollimi i koronavirusit, përmirësimi i situatës shëndetësore dhe përhapja e vaksinimit”, ka thënë Raisi më 21 gusht, teksa Parlamenti ka nisur të diskutojë për kabinetin e krijuar vetëm nga burrat.
“Ekonomia dhe situata e jetesës është prioriteti i dytë”, ka thënë ai.
Shkalla e të vdekurve dhe të infektuarve me koronavirus, ka rritur në nivele rekorde këtë muaj.
Prej shpërthimit të pandemisë, Irani ka regjistruar 4.5 milionë raste me koronavirus dhe mbi 100,000 viktima.
Zyrtarët kanë fajësuar variantin Delta për “valën e pestë” të pandemisë.
Raisi e ka zgjedhur Bahram Eynollahin për ministër të Shëndetësisë.
Ai e ka përkrahur të propozuarin e tij 63-vjeçar si “figurë që mund të bashkojë forcat në luftën kundër koronavirusit”.
Eynollahi është identifikuar si nënshkrues i një letre të hapur në muajin janar, që ka paralajmëruar kundër importimit të vaksinave të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca, duke pretenduar se ato mund të shkaktojnë “komplikime të panjohura”.
Më shumë se 16.3 milionë persona në vendin me 83 milionë banorë, kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit, mirëpo vetëm 5.4 milionë kanë marrë edhe dozën e dytë, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Iran./REL
Top Channel