Bahrejni thotë se do të hapë aeroportet për fluturimet që evakuojnë njerëzit nga Afganistani, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe u shprehen se do të strehojnë përkohësisht refugjatët afganë, teksa Shtetet e Bashkuara po përballen me hapësira të mbingarkuara me të evakuuar në Katar.
Zhvillimet e 21 gushtit kanë ardhur një ditë pasi fluturimet evakuuese nga Kabuli janë ndalur përkohësisht për të lejuar pikat e dërgimit që të stabilizojnë situatën me personat e dërguar atje, raporton Radio Evropa e Lirë.
Hapësirat amerikane në bazën ajrore Al-Udeid në Katar janë mbushur shpejt, ndërkohë që Uashingtoni tenton të përfundojë më 31 gusht misionin e tërheqjes së forcave amerikane, të huaja dhe shtetasve afganë që mund të largohen nga Afganistani.
Bahrejni, ku gjendet flota e pestë e SHBA-së, ka thënë më 21 gusht se “do të lejojë fluturimet transite në Bahrejn”, derisa Emiratet e Bashkuara Arbane kanë thënë se do të strehojnë 5,000 afganë “para se ata të nisen në shtetet tjera”.
Dhjetëra shtetet janë pajtuar për të strehuar përkohësisht afganët, sipas Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, derisa dhjetëra të tjera janë pajtuar që të shërbejnë si pika transite për të evakuuarit.
Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në mesin e shteteve që do të strehojnë përkohësisht afganët, derisa të përfundojnë procedurat për pajisje me viza amerikane.
Top Channel