Në takimin e saj me Presidentin rus Putin, Kancelarja Merkel bëri thirrje që dialogu të vazhdojë. Ajo tha se dëshiron të rigjallërojë bisedimet për Ukrainën.
Në Moskë kancelarja Merkel tha se megjithë dallimet e thella me Rusinë, me njëri -tjetrin flitet. Kancelarja theksoi se kjo edhe duhet të mbetet kështu. Presidenti Putin tha se Gjermania ishte një nga partnerët më të rëndësishëm të Rusisë në Evropë dhe në gjithë botën – jo së fundi falë përpjekjeve të Merkelit.
Kancelarja vendosi një kurorë me lule në varrin e Ushtarit të Panjohur dhe kujtoi sulmin e Gjermanisë hitleriane kundër Bashkimit Sovjetik 80 vjet më parë.
Pas takimit Merkeli tha se kishte rënë dakord me Putinin për të bërë përpjekje për të arritur përparime për Ukrainën javët e ardhshme. Ajo tha se dëshiron të rigjallërojë bisedimet, ku për momentin ka stanjacion. Sipas agjencive të lajmeve ajo kërkoi nga Putini lirimin e kritikut të tij, Aleksander Navalny. Putini tha se Navalnyn nuk qe dënuar për aktivitetin e tij politik.
Presidenti rus, Vladimir Putin tha se kishte përshtypjen se udhëheqja ukrainase kishte vendosur kundër një zgjidhjeje paqësore për konfliktin në Ukrainën Lindore.
Fjalë lëvduese për kancelaren
Vizita e së premtes nuk është vetëm një vizitë lamtumire, i tha biografi i Merkelit Ralph Bollmann gazetës “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” :
“Unë besoj se marrëdhënia me Rusinë ishte një temë kaq e rëndësishme e mandatit të saj , sa që dëshiron të bëjë edhe njëherë një mbyllje. Unë besoj se ajo do të vendosë edhe njëherë disa piketa, duke përfshirë sinjale për pasardhësit e saj të mundshëm, se si duhet të jetë politika ndaj Rusisë në të ardhmen.
Disa muaj më parë kur po bëhej i qartë largimi i Merkelit, Putini u shpreh me fjalë pozitive: “Mes nesh është zhvilluar një marrëdhënie e bazuar në fakte. Unë i vlerësoj shumë atë. Ajo është një politikane me përvojë dhe një person i drejtpërdrejtë. Kur kemi rënë dakord për diçka, atëherë unë mund të kisha besim tek ajo. Është konsekuente dhe mund të imponojë vullnetin e saj”.
Ekziston një temë veçanërisht me të cilën Angela Merkel do të donte të merrej, thonë vëzhguesit: ajo dëshiron të sigurojë që Rusia të vazhdojë të kalojë gaz përmes Ukrainës në Bashkimin Evropian në të ardhmen, edhe kur të përfundojë gazsjellësi “Nord Stream 2”./DW
Top Channel