Kohë rinovimesh te Liverpool, Salah gati të bëhet më i paguari në historinë e klubit

20/08/2021 08:45

Liverpool nuk po “ndjehet” shumë në merkato, megjithatë strategjia e drejtuesve të klubit duket se është të blindojnë me kontrata afat-gjata të gjithë liderët e skuadrës dhe pas Alisson Becker, Aleksander-Arnold e Virgil van Dijk, radhën e ka Mohamed Salah.

Sulmuesi 29-vjeçar egjiptian ka kontratë deri në verën e 2023-shit me “the reds”, të cilët duan ta mbajnë “përjetë” në “Anfield Road” dhe janë gati ta bëjnë lojtarin më të paguar në historinë e klubit, me kushtin që të zgjasë bashkëpunimin deri në verën e 2025-ës.

Aktualisht Salah paguhet 200 mijë paundë në javë dhe futbollisti më i paguar te Liverpool është Van Dijk, me 220 mijë paundë në javë, por drejtuesit e “the reds” kanë nisur bisedimet me Salah, të cilit i kanë ofruar një rrogë javore prej 230 mijë paundësh, me qëllim që të firmosë kontratën e re.

Sulmuesi egjiptian iu bashkua Liverpoolit verën e 2017-ës dhe që atëherë numëron 204 ndeshje me fanellën e “the reds”, duke shënuar 126 gola dhe asistuar 49 të tjerë, çka e ka shndërruar në një nga lojtarët më produktivë të skuadrës.

Për Salah kanë shfaqur interes klube si Reali i Madridit dhe Barcelona, por Liverpool kërkon ta “blindojë” deri më 2025-ën, kur sulmuesi të jetë 34-vjeçar, pra praktikisht në mbyllje të karrierës./ SS

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA