Një grup afganësh mbërritën të sigurt në Itali me ndihmën e ushtrisë italiane së bashku me familjet e tyre, duke lënë pas një tmerr të cilit i druheshin që në momentin kur u njoftua tërheqja e ushtrisë amerikane.
Ata kanë rrëfyer tmerrin e përjetuar, me disa dëshmi që përmbysin qartë pretendimet e talebanëve që kërkuan t’i tregojnë botës se tashmë, janë një grupim i moderuar.
“Ditën kur talebanët mbërritën në Kabul, e kuptuam rrezikun që na kanosej. Për shkak se unë isha officer policie dhe kisha punuar në ministrinë e brendshme, po më kërkonin. I treguan fqinjëve foton time. Vendosa të kontaktoj me ambasadën e Italisë pasi kam qenë student në akademinë ushtarake të Modenës. Ishte i vetmi shans për t’u larguar prej andej”, thotë ish-polici afgan.
“Dëgjuam se talebanët kishin nisur e po hynin nëpër shtëpitë e hazarave. Kërkonin sidomos njerëzit që kishin punuar me qeverinë afgane. Merrnin me vete të rinj, ose për t`i detyruar të luftojnë për ta, ose për t`i vrarë. U tmerruam, nuk na zinte gjumi natën. Shikoja tim bir e nuk i mbaja dot lotët”, rrëfen një pjesëtar i komunitetit Hazara.
“Aeroporti ishte tmerr më vete. Kur u hap dera, 800 apo 900 vetë nisën të shtyhen. Në krahë kisha djalin dy vjeç dhe gruan e mbaja për dore. Ajo u rrëzua e m`’ desh të luftojë me njerëzit që të mos e shtypnin. Arrita ta shtyj në një cep e kështu mbijetuam”.
Teksa një pjesë e vendeve të BE-së ngurrojnë të pranojnë refugjatët afganë, situata e tyre po bëhet gjithmonë e më dramatike.
Italia, Spanja, Qiproja, Malta dhe Greqia kanë bërë thirrje për një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të Brendshëm të bllokut për këtë çështje.
Top Channel