Zjarre në Fier dhe Radhimë/ Flakët rrezikojnë edhe banesa dhe hotele. Vatra të tjera nga jugu në veri

19/08/2021 19:51

Një ullishte u përfshi nga flakët pasditen e së enjtes në fshatin Vajkan, njësia administrative Mbrostar në Fier.

Zjarri ka marrë përmasa për shkak të erës dhe terrenit kodrinor. Në vendngjarje shkuan tre zjarrfikëse nga Fieri, Lushnja dhe Patosi, pasi flakët u bënë rrezik serioz për banesat aty pranë.

Sipas drejtorit të mbrojtjes civile, dyshohet se zjarri ka ardhur nga varrezat e fshatit Vajkan pas një ceremonie përkujtimore.

Nga flakët është përfshirë edhe një banesë e pabanuar si dhe janë djegur shume dru frutore dhe ullishte.

Ndërkohë, flakët që kanë përfshirë pasdite fshatin Radhimë te Vlorës po rrezikojnë banesa dhe hotele. Zjarri ka rënë fillimisht në një transformator elektrik dhe më pas ka marrë zona përreth duke rrezikuar seriozisht banesat e hotelet.

Zjarri vijon të jetë me përmasa te mëdha i ndihmuar dhe nga era që fryn në këtë zonë duke shkuar afër fshatit Tragjas. Të gjithë punonjësit e zjarrfikësve ndodhen në terren për shuarjen e zjarrit . Zjarrfikësit shprehen se situata është kritike.

Zjarret mbeten ende problem nga veriu në jug. Vatra që shuhen por dhe flakë që riaktivizohen sërish për shkak të erës. Buletini i mëngjesit nga Ministria e Mbrojtjes bën me dije se i vështirë është operacionin në Thirrë të Mirditës  pasi në zonë ka shumë tym dhe erë të forte por drejtimi i flakëve për momentin nuk rrezikon fshatra apo tunelin e kalimashit.

Në Kukës, Maja e Rrunës vazhdon të digjet prej 15 ditësh dhe flakët janë në drejtim të fshatit Shëmri. Në zonë po punon helikopteri holandez. Nuk paraqet rrezik  zjarri në katund të vjetër, fshatrat Munellë dhe Domgjon.

Top Channel