Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin një dozë të tretë të vaksinës anticovid për mbrojtje më të mirë.
Ai vuri në dukje se Turqia kreu një studim me 31 milion njerëz të vaksinuar, i cili tregoi se njerëzit që morën tre doza janë më të mbrojtur kundër koronavirusit.
Koca shtoi se studimi do të përditësohet pasi nuk ka kaluar shumë kohë që kur janë administruar dozat e treta.
“Rëndësia e studimit është se ai dëshmon shkencërisht domosdoshmërinë e dozës së tretë”, tha ai pas një takimi të Bordit të Shkencës të Ministrisë së Shëndetësisë më 18 gusht.
“Tani është kuptuar që qytetarët tanë që kanë marrë 2 injeksione duhet të marrin një dozë të tretë”, tha Koca.
Ai vuri në dukje se ekipi që krijoi vaksinën e ARNi sugjeroi që doza përforcuese mund të jetë e nevojshme.
Turqia ka përdorur vaksinat Sinovac dhe Pfizer/BioNTech në programin e saj të vaksinimit.
“Ne duhet të rrisim mbrojtjen tonë duke marrë dozën e tretë pa asnjë vonesë,” tha Koca, duke u bërë thirrje njerëzve që ta bëjnë këtë.
Ai përsëriti se njerëzit duhet të vazhdojnë t’i përmbahen rregullave themelore, të tilla si mbajtja e maskave dhe distancimi shoqëror.
“Pandemia nuk ka mbaruar ende, virusi nuk është zhdukur. Mos e sfidoni virusin, “tha Koca.
Ministri shtoi se vaksinat COVID-19 tani janë vënë në dispozicion për fëmijët mbi 12 vjeç me sëmundje kronike.
Këtë javë, Turqia vendosi të lejojë njerëzit që ishin të vaksinuar me vaksinën e koronavirusit të Sinovac të merrnin një dozë shtesë Pfizer/BioNTech për të ndihmuar në lehtësimin e udhëtimit në vendet që nuk kanë miratuar vaksinën kineze.
Koca tha se vendimi për të ofruar dozën e katërt nuk lidhet me shqetësimet shëndetësore.
“Ky është një vendim i ri i krijuar posaçërisht për të qenë në përputhje me rregullat e vendeve që kërkojnë dy doza vaksine të mRNA,” shpjegoi ai.
Që nga mesi i janarit, kur Turqia përfundoi programin e saj të vaksinimit, ka administruar më shumë se 86.5 milionë doza të vaksinave COVID-19. Mbi 34 milionë njerëz janë vaksinuar plotësisht dhe më shumë se 45 milionë të tjerë kanë marrë dozat e para. Për më tepër, të paktën 7.2 milionë njerëzve u është dhënë doza e tretë e vaksinës.
Top Channel