Rrëzimi i Christian Eriksen në fushë, teksa luhej ndeshja Danimarkë-Finlandë, është padyshim një nga episodet që do të mbahet mend gjatë nga Kampionati Europian 2020, ndonëse për fat të mirë fantazisti danez ia doli t’i mbijetojë një ataku kardiak dhe i është rikthyer normalitetit.
Kapiteni Simon Kjaer ishte ndër të parët që vrapoi për t’i dhënë ndihmën e parë shokut të tij të skuadrës dhe organizoi futbollistët e tjerë për të bërë një mur rreth Eriksen, me qëllim që kamerat të mos fiksonin luftën e tij me vdekjen.
Shumë e përshkruan si hero kapitenin Eriksen, i cili tani që kanë kaluar më tepër se dy muaj nga ai episod, kujton se gjithçka e ka bërë në mënyrë instiktive dhe se kështu do të vepronte edhe në rast se një gjë e ngjashme do t’i ndodhte ndonjë futbollisti kundërshtar.
“Ishte një ditë historike për të gjithë ne danezët, pasi luhej ndeshja e parë në shtëpinë tonë. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Unë ia dola të qëndroja i ftohtë, si të gjithë shokët e mi të skuadrës. Ishte një përpjekje ekipore dhe padyshim që ne do të kishim bërë të njëjtën gjë nëse ai do të kishte qenë kundërshtar. Kjo është e gjitha dhe nuk jam një hero. E vetmja gjë që ka rëndësi është që Christian është mirë tani”, – tha futbollisti danez.
Top Channel