Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një deklaratë të përbashkët të nënshkruar nga rreth njëzet vende të botës ku shprehet shqetësimi për të drejtat e grave dhe vajzave afgane. Në deklaratë u kërkohet atyre që janë në pushtet në Afganistan që të “garantojnë mbrojtjen e tyre”.
Deklarata e publikuar të mërkurën u nënshkrua nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Bashkimi Evropian dhe 18 vende të tjera, mes të cilave Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Në të thuhet se nënshkruesit e deklaratës janë “thellësisht të shqetësuar” për “të drejtat e grave afgane për t’u arsimuar, punësuar dhe lirinë e lëvizjes” pas marrjes së kontrollit nga talebanët.
“Gratë dhe vajzat afgane, si i gjithë populli afgan, meritojnë të jetojnë në siguri dhe me dinjitet. Çdo formë diskriminimi dhe abuzimi duhet të parandalohet. Bashkësia ndërkombëtare është e gatshme t’i ndihmojë ato me ndihma humanitare dhe të ofrojë mbështetje, për të siguruar që zërat e tyre mund të dëgjohen”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë thuhet se bota “do të vëzhgojë nga afër se si qeveria e ardhshme do të sigurojë të drejtat dhe liritë që janë bërë pjesë integrale e jetës së grave dhe vajzave në afgane” gjatë 20 viteve të fundit.
Pas hyrjes në Kabul të dielën dhe marrjes nën kontroll të vendit, talebanët këmbëngulin se ata kanë ndryshuar dhe nuk do të vendosin të njëjtat kufizime drakoniane që bënë kur sunduan për herë të fundit Afganistanin, përveç eliminimit të drejtave të grave./ VOA
Top Channel