U konstatuan duke ushtruar aktivitet jashtë orarit të përcaktuar për mbyllje, ndëshkohen 2 pronarë lokalesh

18/08/2021 14:19

Dy pronarë lokalesh në Durrës janë ndëshkuar me gjobë, ndërsa për njërin prej tyre ka nisur procedimi penal, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet jashtë orarit të përcaktuar, në kuadër të masave të marra si pasojë e pandemisë.

Shtetasi E.B., është gjobitur me 1.000.000 lekë dhe është proceduar penalisht, pasi është konstatuar duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë pas orarit të përcaktuar.

Edhe shtetasi K.D., u gjobit me 1.000.000 lekë.

Njoftimi i plotë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente.

Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe proceduar penalisht për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, shtetasin E. B., 24 vjeç, pronar i një subjekti në lagjen nr.17, Durrës, pasi u konstatua duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje. Për këtë shtetas u vendos dhe masa administrative 1.000.000 lekë, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale pajisjet muzikore.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe 1 subjekt tjetër në lagjen nr.17, Durrës, me pronar shtetasin K. D., i cili u ndëshkua me masë administrative 1.000.000 lekë, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.

Top Channel