Të shpallur në kërkim ndërkombëtar/ Kapen në Gjermani e Francë dy ish-truprojat e Saimir Tahirit. Prokuroria e Posaçme kërkon ekstradimin

18/08/2021 13:05

Dy ish-truprojat e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit janë arrestuar sot në Francë dhe Gjermani. Në pranga ranë Agustin Deda dhe Hekuran Marku, të cilët janë shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare si të përfshirë në trafikun e drogës.

Raportohet se Agustin Deda është arrestuar në Francë ndërsa Hekuran Marku në Gjermani, pasi emrat e dy ish-truprojave të Tahirit dolën në përgjimet e një grupi kriminal të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Po ashtu mësohet se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar ekstradimin e dy ish-truprojave të Saimir Tahirit.

Megaoperacioni “Shpirti”

Emrat e Hekuran Markut dhe Agustin Dedës dolën në përgjimet e një mega operacioni të trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave, i koduar “Shpirti” që u zhvillua në muajin korrik mes autoriteteve shqiptare dhe Antimafias Italiane.

Agustin Deda dhe Hekuran Marku në kohën e kryerjes së veprave penale në vitin 2016  ishin me detyrën e pjestarëve të grupit të shoqërimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, por ata nuk janë më pjesë e radhëve të policisë pasi në vitin 2017 e kanë lënë detyrën.

Nga operacioni rezultoi se Agustin Deda dhe Hekuran Marku në bashkëpunim me katër shtetas italianë dhe një shtetas shqiptar të quajtur Eltjon Bregu trafikuan në rrugë detare nga Shqipëria drejt Italisë ngarkesën 1016 kilogramë kanabis, e cila i është sekuestruar shtetasve Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini që janë arrestuar në kuadër të procedimit 16654 të prokurorisë së Barit.

Në vendimin e  datës 4 korrik 2021 Gjykata Kundër Korruposionit dhe Krimit të Organizuar caktoi masën arrest me burg për Hekuran Markun dhe Agustin Dedën.

Ky operacion ndërkombëtar antidrogë, i realizuar njëkohësisht në 4 shtete, u finalizua me 28 të arrestuar, mes të cilëve një prokuror, një drejtor dhe tre zyrtarë të lartë të Policisë shqiptare.

Arrestimet janë bërë në Shqipëri, Itali, Mali i Zi dhe Spanjë. Hetimet për këtë operacion janë bërë nga muaji Maj 2019 deri në Janar 2021, që kanë bërë të mundur të mblidhen të dhëna të rëndësishme ndaj 38 shtetasve shqiptarë.

38 ishin urdhër-arrestet e lëshuara lëshuar nga SPAK, 10 të ekzekutuar në 2020, ndërkohë që 28 të tjerët janë ekzekutuar disa ditë më parë.

Top Channel