“Të drejtat e grave sipas ligjit islamik”/ Konferenca e parë për shtyp e talebanëve: Nuk duam armiq të brendshëm dhe të jashtëm

18/08/2021 00:23

Talebanët dhanë konferencën e parë për shtyp, dy ditë pasi morën në kontroll të plotë Afganistanin. Para medieve, zëdhënësi i militantëve taleban, Zabihullah Mujahid tha se po punojnë për formimin e qeverisë. I kemi të gjithë kufijtë nën kontrollin tonë, tha ai.

I pyetur në lidhje me të drejtat e grave, zëdhënësi u përgjigj se “ne do t’i lejojmë gratë të punojnë dhe studiojnë brenda kornizave. Do të jenë shumë aktive brenda shoqërisë sonë, brenda ligjit islamik. Kur u pyet për kontraktorët dhe përkthyesit që kanë punuar me fuqitë e huaja, Mujahid tha se “askush nuk do të trajtohet me hakmarrje” dhe se grupi “i ka falur të gjithë për përfitimin e stabilitetit ose paqes në Afganistan”. Armiqësive u ka ardhur fundi. Ne nuk duam asnjë armik të jashtëm apo të brendshëm“.

Ai tha se talebanët premtuan të respektojnë rolin e shtypit dhe u zotua se “media private mund të vazhdojë të jetë e lirë dhe e pavarur”
Zyrtarët teleban paralajmëruan se “media nuk duhet të punojë kundër tyre” Të pyetur për rrezikun e strehimit të luftëtarëve të Al-Kaedës ose ekstremistëve të tjerë, Mujahid tha se “toka e Afganistanit nuk do të përdoret kundër askujt”.

Ai pretendon se talebanët u detyruan të hyjnë në qytet “për të siguruar sigurinë e banorëve. Talibanët shpallën fitoren më 15 gusht, pasi morën kontrollin e kryeqytetit, Kabulit. Mësymja e tyre në Afganistan erdhi fill pasi SHBA tërhoqi trupat ushtarakë nga vendi, pas gati 20 vitesh. Afganët janë dyndur drejt aeroportit të Kabulit, në përpjekjet e dëshpëruara për t’u larguar me çdo kusht nga vendi.

Top Channel