Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të mbajnë video-konferencë rreth Afganistanit

18/08/2021 19:29

Sekretari i Përgjithshëm NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se ministrat e Jashtëm të aleancës të premten do të mbajnë një video-konferencë të jashtëzakonshme për të diskutuar zhvillimet në Afganistan.

Stoltenberg shkroi në Twitter se ai thirri një takim të jashtëzakonshëm të kryediplomatëve për të “vazhduar koordinimin tonë të ngushtë dhe për të diskutuar qasjen tonë të përbashkët rreth Afganistanit”, sipas Anadolu Agency (AA).

“Ne kurrë nuk kemi synuar të qëndrojmë në Afganistan përgjithmonë“, shpjegoi Stoltenberg dje në një konferencë për media pas takimit të ambasadorëve të NATO-s, duke shtuar se qëllimi kryesor i NATO-s ishte të siguronte që vendi nuk do të bëhej përsëri një strehë e sigurt për terroristët.

Ai tha se NATO ishte përballur me një dilemë në lidhje me përfundimin e misionit ushtarak në Afganistan, ku ata duhej të zgjidhnin midis rrezikut të marrjes nga ana e talebanëve ose luftimeve të hapura.

Stoltenberg fajësoi udhëheqjen afgane që nuk bëri rezistencë kundër talebanëve dhe e çoi vendin në një kolaps tragjik ushtarak dhe politik, por ai gjithashtu theksoi nevojën e një vlerësimi të sinqertë të pranisë dy-dekadëshe të NATO-s në vend.

Lufta midis talebanëve dhe forcave afgane u intensifikua pasi trupat e huaja njoftuan se do të tërhiqen nga vendi deri më 11 shtator.

Talebanët bënë përparime të shpejta ushtarake dhe morën kontrollin mbi kryeqytetin të dielën ndërsa forcat e qeverisë afgane ikën ose u dorëzuan. Presidenti Ashraf Ghani gjithashtu u largua nga vendi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA