Lezhë/ Vihet nën kontroll vatra e zjarrit që rrezikonte banesat, situatë problematike në Malin e Rrunës dhe në Qafë Kumbull

18/08/2021 12:25

Situata me zjarret mbetet problematike në qarkun e Lezhës. Në fshatin Patale, situata po normalizohet por ende nuk është vënë totalisht nën kontroll.

Në fshatin Katund i Vjetër, situata është e qetë ndërsa ndërhyrja nga ajri dhe toka kanë rezultuar efektive duke vënë nën kontroll vatrën e zjarrit që dy ditë më parë rrezikonte edhe banesat. Aktualisht mbeten ende të evakuuar banorët e 5 shtëpive, ndërsa pritet të rikthehen në shtëpi sapo flakët të eliminohen totalisht.

Në Thirrë ka ende vatra zjarri aktive, të cilat për shkak të erës po përhapen vazhdimisht. Problematike mbeten vatrat në Malin e Rrunës dhe në Qafë Kumbull, ku prej javësh tashmë janë djegur qindra hektarë pyje.

Edhe në Malin e Munellës në Domgjon, situata mbetet e vështirë. Nëerhyrja nga toka vijon në të gjitha vatrat, ndërsa pritet ndërhyrja me helikopter sapo mjegulla e dendur të përhapet.

Top Channel