Më 20 dhjetor të 2019-ës, Arsenali vendosi të ndjekë shembullin e shumë klubeve të mëdha europiane si Man. United, Real Madrid e Barcelona, duke ia besuar drejtimin e skuadrës një ish futbollisti të ekipit, spanjollit Mikel Arteta, i cili ka spikatur me fanellën e “topçinjve” si futbollist.
Megjithatë të jesh trajner është tërësisht ndryshe dhe këtë e po e provon edhe spanjolli 39-vjeçar, i cili nuk po bën aspak mirë në pankinën e londinezëve, aq sa tani mediet britanike kanë nisur të aludojnë për një shkarkim të mundshëm të tij.
Starti i kampionatit ishte për t’u harruar, pasi “topçinjtë’ u mposhtën në transfertën ndaj debutuesve të Brentfordit me rezultatin 2-0, ndërsa gjasat që të marrin pikë në dy javët e ardhshme, janë thuajse zero.
Kjo pasi të dielën Arsenali do të përballet me Chelsean në derbin e Londrës, në një sfidë ku blutë e Thomas Tuchel janë ndjeshëm favoritë, ndaj marrja qoftë edhe e një barazimit për djemtë e drejtuar nga Arteta, duket mision i pamundur.
Vetëm një javë më vonë, kalendari u ka rezervuar londinezëve përballjen me kampionët në fuqi të Manchester City-t, aty ku Arteta do të përballet me mentorin e tij, Pep Guardiolën, ndaj nëse në asnjërën prej këtyre dy sfidave nuk arrin të marrë pikë, atëherë vështirë se do të vijojë punën në pankinën e Arsenalit.
E si të mos mjaftojë kalendari mjaft i vështirë, 39-vjeçari spanjoll ka filluar ‘të përndiqet” nga hijet e Antonio Contes, i cili është i papunë dhe e ka pranuar hapur se dëshiron të rikthehet e të punojë në Angli, aty ku ka fituar edhe një titull kampion me Chelsea-n./ SuperSport
Top Channel