450 afganë pritet të mbërrijnë në Maqedoninë e Veriut, deri në fund të kësaj jave.
“Maqedonia e Veriut ishte ndër vendet e para, nëse jo e para që u bashkua me Shtetet e Bashkuara dhe ofroi ndihmë për këta njerëz në rrezik nga ardhja e regjimit talebanë në Afganistan“, tha zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha.
Sipas njoftimit të qeverisë “njerëzit që do të vijnë në Maqedoninë e Veriut janë të punësuar në misione humanitare dhe paqeruajtëse ose janë anëtarë të familjeve të tyre, pastaj aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë, përkthyes, studentë, bursistë dhe qytetarë që kanë mbështetur forcat aleate të NATO -s në Afganistan për 20 vitet e fundit. përfshirë ushtrinë maqedonase”.
Ata do të akomodohen në hotele dhe motele, ndërsa shpenzimet do të mbulohen nga Shtetet e Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare. Sipas qeverisë, afganët që mbërrijnë në Maqedoninë e Veriut më pas do të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara ose vende të tjera si destinacioni i tyre përfundimtar.
Top Channel