SHISH: Si ndikoi Covid për sigurinë/ “Fushatë dezinformimi nga aktorë të huaj për të nxitur tensionet ndëretnike në Ballkan”

17/08/2021 19:19

Shërbimi Informativ shtetëror publikoi raportin në lidhje me sigurinë e vendit gjatë pandemisë për 2020, ku thekson aktorët globalë jo-perëndimorë shfrytëzuan situatën e shkaktuar nga COVID-19 për synimet e tyre gjeostrategjike, forcimin e pozitës së tyre si aktorë ndërkombëtarë, përçarjen e kohezionit në BE/NATO dhe ndërkombëtar, si dhe kanë mbështetur narrativat e njëri-tjetrit në mjedisin informativ sipas synimeve të tyre.

Gjithashtu, thotë SHISH, përdorën një spektër të gjerë të mjeteve hibride për të ndërmarrë operacione informative përgjatë pandemisë COVID-19, si: ndërmarrja e fushatave mediatike, qarkullimi i lajmeve të rreme, nxitja e shpërndarja e teorive konspirative nëpërmjet medias e rrjeteve sociale, angazhimi i shërbimeve të inteligjencës dhe aktorëve kibernetikë shtetërorë dhe jo-shtetërorë.

Fokusi propagandues në hapësirën online u vu në problematikat historike: keqtrajtimi i supozuar i vendeve të rajonit nga faktori perëndimor, duke pretenduar përdorimin e standardeve të dyfishta kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjeve specifike në vendet e Ballkanit Perëndimor; hezitimi i supozuar i Perëndimit për të shpejtuar pranimin në BE të vendeve të BP; dobësitë e brendshme, veçanërisht në vendet pro-perëndimore; përshkrimi i faktorit shqiptar në rajon si kërcënim për rajonin dhe rolin e shqiptarëve si nxitës të politikave nacionaliste për të ashtuquajturën “Shqipëria e Madhe”.

Paralelisht me objektivin për të penguar integrimin euro-atlantik, kjo propagandë synoi të promovonte imazhin dhe interesat e tyre, të inkurajonte ndjenjat kundër NATO-s dhe të nxiste tensione ndëretnike me qëllim dobësimin e kohezionit në rajon. Raporti i SHISH thotë se Pandemia COVID-19 dëshmoi se si një situatë me vëmendje kaq të madhe publike e ndërkombëtare mund të përdoret nga aktorët kibernetikë shtetërorë dhe jo-shtetërorë për spiunazh kibernetik, aktivitete infuencuese dhe krim kibernetik.

Aktivitetet online, shtetërore dhe jo-shtetërore, u përdoren edhe nga aktorët shtetërorë dhe krimi kibernetik si vektorë të rinj sulmi, për të arritur synimet e tyre. Risku i sulmeve kibernetike ndaj institucioneve në sektorët shëndetësorë, bankarë, të telekomunikimit dhe entiteteve politike vendimmarrëse, u rrit ndjeshëm.”

Top Channel