Maqedonia e Veriut po bashkëpunon me autoritetet amerikane dhe ato të Aleancës Veri-atlantike (NATO) për të strehuar civilët afganë, që kanë bashkëpunuar me entitetet e huaja.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha për Radion Evropa e Lirë se autoritetet po bëjnë përgatitje për strehimin e afganëve,
“Qeveria në komunikim me partnerët amerikanë dhe të NATO-s ka ofruar të strehojë civilë afganë të cilët ikin nga zhvillimet atje dhe po bëjmë të gjitha përgatitjet e nevojshme për pranimin e tyre”, tha Osmani.
Përveç Maqedonisë së Veriut, nga vendet e rajonit, edhe Kosova dhe Shqipëria kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të strehuar afganët që kanë punuar me autoritetet amerikane.
Të dy këto shtete, kanë konfirmuar më 15 gusht se janë duke komunikuar me autoritetet amerikane për të strehuar përkohësisht civilët afganë, derisa të rregullohen dokumentet e tyre, në mënyrë që më pas ata të shkojnë në SHBA.
Situata e sigurisë në Afganistan është përkeqësuar që prej se trupat ndërkombëtare, në krye me SHBA-në, njoftuan në maj se deri më 31 gusht do të tërhiqen nga vendi.
Më 15 gusht, talibanët hynë në kryeqytetin afgan, Kabul, teksa presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani u largua nga vendi.
Në aeroportin ndërkombëtarë të Kabulit, që po menaxhohet nga trupat amerikane, ka tollovi, pasi shumë afganë, nga frika nga talibanët, po duan të largohen nga shteti.
Shumë misione diplomatike në Kabul, përfshirë atë të SHBA-së, kanë nisur evakuimin e stafit të tyre dhe afganëve që kanë bashkëpunuar me ta./REL/
Top Channel