“Mu përfytyruan djegia e njerëzve të gjallë, vrasjet çnjerëzore”, fjalët prekëse të djalit për babanë e humbur në luftën e Kosovës

16/08/2021 21:48
Andin Hoti

Andin Hoti, kryetari i Komisionit për të Zhdukur në Kosovë ka prekur me një postim të shkruar për babanë e tij të zhdukur në luftë, Ukshin Hoti,  gjatë luftës së Kosovës.

Ai kërkon që të vendoset drejtësia për popullin e Kosovës, duke përmendur disa prej krimeve makabre kundër njerëzimit të ndodhura nga forcat serbe të cilët vranë, dogjën e përdhunuan.

Ai ka reaguar pasi Kryeministri i Kosovës insistoi në shkarkimin e Veljko Odalović, kreu i komisionit serb për personat e zhdukur të cilin Kurti e përshkroi si “Gering e si Gebels”, duke thënë se nuk mund të pranohet një figurë e tillë i cili ishte dikur përgjegjës për pastrimin e territorit nga kufomat e shqiptarëve.

Kurti e kërkoi këtë në takimin me Vuçiç një ditë më parë në Bruksel, ku një prej temave, ishte të pagjeturit, një çështje mjaft delikate kjo që vazhdon të rikthejë fantazmat e konfliktit dhe që kërkon zgjidhje.

Sapo ma ngacmove plagën e pashëruar! (Mua dhe mijëra qytetarëve të Republikës së Kosovës)

Sapo mi kujtove masakrat e panumërta, përdhunimet, krematoriumet, vrasjet me mënyrat më çnjerëzore që njeh historia ndaj grave, fëmijëve e pleqve civil në gjenocidin e fundit në Kosovë nga ju!

Sapo mu parafytyruan djegia e njerëzve të gjallë e të vdekur nga Ushtria, Policia, e paramilitarët serb, vetëm PSE ishin Shqiptar!

Sapo ma ri-dëshmove fjalën ‘dhunë’ tek të zhdukurit ME DHUNË!

Sapo ma zbehe shpresën se një ditë, për hirë të humanizmit, megjithatë do të provoni të gjeni një pikë njerëzore tek vetja, duke na treguar se ku janë edhe 1632 persona të zhdukur me dhunë, duke na i lehtësuar sado pak dhimbjet që na ndjekin kudo tash e 22 vite!

Sapo ma kujtove se deri ku mund të shkojë mëndja e vepra e ‘njeriut’!

Ende pa bërë as edhe një hap të vetëm për tu shkëputur nga mendësia kriminale e Millosheviçit, ende pa kërkuar falje, ende pa dhënë përgjigje për fatin e 1632 personave të zhdukur me dhunë në Kosovë, ju guxoni të na shkelni mbi plagët tona të luftës dhe të KËRCËNONI haptas se ‘mos të ishte Amerika, ju do të vazhdonit krimet çnjerëzore ndaj popullit tonë’.

Ju guxoni të tregoni fytyrën tuaj haptas, se megjithëse kanë kaluar 22 vite, mendësia juaj nuk ka ndryshuar, dëshira për masakra është ende në gjakun tuaj.

Por… sapo ma kujtove që njeriu për të arritur lirinë, është GJITHMONË në gjendje të sakrifikoj edhe jetën!

Njeriu nuk ka ku të shkoj përtej atdheut të vet.

Amerika nuk ka urrejtje ndaj serbëve, përkundrazi, Amerika lufton kudo në botë për të drejtat e njerëzve, nga padrejtësitë që u bëhen prej kriminelëve si Millosheviçi.

Prandaj, nëse jo për hir të humanizmit, pse jo për hir të popullit tuaj, nuk arrini të ndryshoni mendësinë tuaj dhe ta çlironi edhe popullin e Serbisë nga epiteti që keni marrë kudo në botën demokratike si ‘Dhunues e Kriminel’?

Çfarë faji ju ka populli juaj?

“Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.” – Ukshin Hoti (Të cilin ende sot e mbani peng)”, shkruan ai.

Top Channel