Iu doli zjarri jashtë kontrolli, policia arreston një person në Lushnje, procedon penalisht 15-vjeçarin

15/08/2021 10:04

Një person është vënë nën prangat e policisë në Lushnje, ndërsa një 15 vjeçar është proceduar penalisht.

U arrestua shtetasi R.D., pasi duke djegur disa ferra, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe është përfshirë nga flakët një sipërfaqe me ullinj në vendin e quajtur “Kodrat e Kalipasë”.

Po ashtu, u procedua në gjendje të lirë për shkak të moshës një shtetas 15-vjeçar i cili dogji me zjarr mbeturinat duke rrezikuar disa prona në fshatin Golem.

“Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin R. D., banues në Dushk, Lushnjë, pasi duke djegur me zjarr disa ferra, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe është djegur një sipërfaqe me ullinj në vendin e quajtur “Kodrat e Kalipasë”.

Po nga këto struktura, u procedua penalisht në gjendje të lirë një shtetas 15-vjeçar nga Dushku, pasi në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë u kap në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë duke djegur disa mbeturina ku zjarri ka rrezikuar që të përhapej në pronat e fshatit Golem”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel