Krahas përpjekjeve të autoriteteve shqiptare për të gjetur në kampin Al Hol në Siri e për ta kthyer në Shqipëri Eva Dumanin, Tetorin e shkuar, ka patur edhe një përpjekje nga një organizatë amerikane.
Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu ka mësuar se “Qendra Ndërkombëtare për Studimet e Ekstremizmit të Dhunshëm” (ICSVE) në Washington fillim vitin e 2021 ka punuar për të riatdhesuar 16 vjeçaren shqiptare.
Kjo iu konfirmua Top Channel nga një zëdhënës i kësaj organizate.
Sikurse edhe kur Marc Ghorayeb këshilltar jo rezident i kryeministrit Edi Rama në Lindjen e Mesme bashkë me Drejtorin e Antiterrorit shqiptarë Gledis Nano dhe kolegut të tij Indrit Doda, tentuan ta gjenin Evën në Al Hol, edhe kjo organizatë amerikane u ndesh me të njëjtin problem.
Eva Dumani preferoi të fshihej duke humbur një rast të dytë riatdhesimi kësaj here prej amerikanëve.
“Qendrës Ndërkombëtare për Studimet e Ekstremizmit të Dhunshëm” e cila e ka të shtrirë punën e saj në Siri, një grua në Al Hol i tha:
“Eva është kërcënuar nga një ndjekëse fanatike e ideologjisë së ISIS brenda në kamp. Asaj i është thënë se do të vritet përpara se ta shpëtojnë nëse pranon të riatdhesohet”.
Javën e shkuar Top Channel publikoi bisedën me një grua të nacionaliteti të huaj në Al Hol e cila solli një pistë të re për Eva Dumanin.
Sipas saj, Evën mund ta kenë nxjerrë nga kampi Al Hol dhe se vendodhja e saj e re mund të jetë në qytetin Idlib.
Autoritetet ligjzbatuese shqiptare kanë mundur të mësojnë se çfarë Eva i ka thënë në takimin e fundit vëllait Endrit, pak përpara se ai të nxirrej nga kampi. Ajo është shprehur se do të vijonte së qëndruari në Siri për të përmbushur amanetin e babait Shkëlzen Dumanit, i cili mbeti i vrarë duke luftuar nën flamurin e Khalifatit Islamik.
Top Channel