Zjarrvëniet e qëllimshme/ Procedohet penalisht një 14-vjeçar në Elbasan

14/08/2021 10:44

Një 14-vjeçar është më i riu i proceduar penalisht për zjarrvënie të paligjshme.

Ai akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” pasi dyshohet se në fshatin Pishkash, Librazhd, ka djegur barishte në pronën tij,  zjarri i ka dalë jashtë kontrollit  dhe është djegur një sipërfaqe toke pyjore me shkurre dhe dushk.

Ndërsa dy të tjerë janë proceduar penalisht për prerje të  paligjshme të pyjeve.

“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve në fushën e krimeve mjedisore,  specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan,  proceduan penalisht  shtetasin Y.D., 38 vjeç, banues në fshatin Hadaraj, Elbasan dhe shtetasin  E.K., 33 vjeç, banues në fshatin Zavalin, Elbasan, pasi në fshatin Shelcan, Elbasan, këta shtetas u kapën duke transportuar me mjetin kamionçinë  4 m³ dru pa leje përkatëse”, njofton policia.

Materialet hetimore i kaluan Prokuroisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan,  për veprime të mëtejshme procedurale.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie apo të dëmtojnë pyjet duke i prerë në mënyrë të paligjshme, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Top Channel