Zbardhet krimi në Ksamil/ 28-vjeçari u qëllua nga shoku në dhomën e hotelit. Zbulohet e kaluara e autorit që drogonte italianët…

14/08/2021 11:39

Një i ri mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e kaluar teksa ndodhej në një dhomë hoteli në Ksamil.

Tauland Beqiri, 28 vjeç u qëllua me plumb nga shoku i tij Edison Vyzaj, ndërsa miku i tyre, shtetas i huaj, i identifikuar si Makawitage Perera fshehu armën e zjarrit të përdorur në këtë ngjarje.

Pasi është dërguar në spital, 28-vjeçari ka refuzuar të japë të dhënat e tij dhe të tregojë rrethanat e ngjarjes. Policia bën me dije se ka zbardhur ngjarjen dhe ka vënë në pranga të lënduarin, autorin dhe mikun e tyre.

Autori, Edison Vyzaj, 28 vjeç, banues në Shkodër akuzohet për veprat penale ”Plagosja e rëndë me dashje”, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërsa Tauland Beqiri, 28 vjeç, banues në Këlcyrë, Përmet, akuzohet për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ”Moskallëzimi i krimit”;

Miku i tyre Makawitage Perera, 24 vjeç, banues në Itali akuzohet për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ”Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Ndër të tjera, sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Kush është Edison Vyzaj

Edison Vyzaj, rezulton të jetë me precedentë penalë pasi në moshën 19-vjecare ka qenë pjesë e një bande ‘skifetrash’ që kryenin vjedhje vilash dhe banesash në Itali.

Repubblica.it raporton se në vitin 2012, në një rast ku ishte i përfshirë Vyzaj, burri, gruaja dhe djemtë gjetën derën e ballkonit të hapur me forcë, shenjat e kalimit të hajdutëve që kishin marrë çdo send me vlerë. “Ne nuk kemi dëgjuar asnjë zhurmë, nuk vumë re asgjë. Ata me siguri na droguan. Nuk ka shpjegim tjetër”, thanë ata teksa denoncuan rastin tek karabinierët.

Top Channel