Situata e zjarreve ne fshatin Thirrë vijon te jete kritike dhe vatra nuk është izoluar ende. Sot do te vijoje ndërhyrja nga ajri.
Ne raportin për situatën e zjarreve ne vend ministria e Mbrojtjes raportoi se gjendja është përkeqësuar në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, si pasojë e erës. Janë djegur deri tani rreth 200 hektarë. Pavarësisht punës së bërë nga 80 forca, nuk është bërë i mundur izolimi i vatrës.
Si pasojë e terrenit të vështirë dhe erës puna e forcave ka qenë e rrezikshme. Por nuk paraqitet rrezik për banesa. Te dielën vijon ndërhyrja nga ajri. Vijon të jetë aktive vatra në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku i Thive, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës. Situata është përmirësuar disi, por ka ende vatra të vogla në të gjithë malin. Nuk ka rrezik për banesat. Në këtë zonë afër fshatit Shemëri operon helikopteri Çek. Në ato zona forcat nga toka e kanë të pamundur ndërhyrjen.
Zjarri në fshatin Kaçni, njësia administrative Selishte bashkia Dibër, po zhvillohet me ritëm të shtuar dhe ka dalë jashtë kontrollit duke u afruar në masivin me pisha në territorin e bashkisë Klos. Forcat operacionale janë në ndjekje të situatës. Zjarri i rënë në një sipërfaqe pylli me pisha, në fshatin Gllavë, njësia administrative Buz, bashkia Memaliaj nuk paraqet rrezik për banesa.
Në terren janë forca zjarrfikëse dhe banorë të zonës. Zjarri në Malin e Tërbunit, bashkia Pukë është izoluar në masën 70%, pas punës së forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri të helikopterit holandez. Vatra e zjarrit në fshatin Flet njësia administrative Blerimaj, bashkia Fushe Arrëz vijon të jetë aktive.
Top Channel