Temperaturat e larta dhe virozat e stinës shtojnë pacientët në zonat bregdetare

14/08/2021 15:26

Temperaturat e larta kanë shtuar numrin e të prekurve nga virozat e stinës edhe në bregdet. Me simptoma të njëjta me ato të variantit Delta, të prekurit i drejtohen spitalit rajonal të Durrësit, si dhe të qendrave shëndetësore të ngritura pranë plazheve.

”Shenjat janë të njëjta me rrufë, teshtima, bllokim të hundëve, dhembje fyti e kollë të lehtë. Ccdo i sëmuri që paraqitet me këto shenja dhe temperaturë mbi 37.5 ne i sugjerojmë testin e shpejtë.”

Sot u regjistruan dy raste pozitiv në qendrën shëndetësore të plazhit dhe çdoherë bëhet izolimi i të infektuarit, hetimi epidemiologjik dhe ndjekja e pacientit nga mjeku përkatës. Kësaj procedure i nënshtrohen edhe turistët e huaj që izolohen në vendin ku po kalojnë pushimet.

”Po, edhe të huaj kemi pasur një rast. Merren të dhënat e sakta dhe izolohet në banesë, ose në vendqëndrimin e tij, në resort a hotel. I hapet dhe kartelë klinike dhe ndiqet ccdo ditë.”

Në urgjencën pediatrike të spitalit kryhen deri në 200 vizita në ditë, kryesisht fëmijë të prekur nga virozat stinore, ndërsa në qendrat verore të plazheve numri varion nga 60-70 vizita. Mjekët apelojnë që qytetarët të mos neglizhojnë simptomat dhe të kërkojnë ndihëmën e mjekut në ccdo rast.

Top Channel