Fluksi i aplikimeve për pasaporta dhe ID, Doracaj: Zyrat do të jenë të hapura edhe ditët e shtuna deri në fund të muajit

14/08/2021 10:57

Zyrat e aplikimit për dokumente biometrike janë të hapura edhe ditët e shtuna, për të përballuar fluksin e aplikimeve që është shtuar me kthimin në atdhe të shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë.

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj dhe përfaqësuesi i Kompanisë Koncesionare Olivier Laurence inspektuan sot në mëngjes zyrën e aplikimit në Njësinë nr 5 në Tiranë.

Doracaj njoftoi se të hapura do jenë jo vetëm zyrat e aplikimit, por edhe zyrat e shpërndarjes së dokumenteve biometrike pranë Policisë së Shtetit në çdo qark.

“Duke filluar nga kjo e shtunë deri në fund të muajit gusht zyrat e aplikimi do i shërbejnë qytetarëve që nga ora 08:00 deri sa të mbarojë edhe qytetari i fundit në radhë për të përballuar fluksin e qytetarëve për pasaporta dhe ID.

Të hapura nuk do të jenë vetë zyra e aplikimit por janë edhe zyrat e shpërndarjes së dokumenteve biometrike pranë Policisë së Shtetit në çdo qark për të ofruar shërbimin edhe gjatë të shtunave.

Do ju lutesha që përgjatë procesit të aplikimit për të shmangur grumbullimin e shtetasve, jemi në kohë pandemie, të bëni procedurën duke aplikuar online në e-Albania për orën dhe numrin që të mos rrinë në radhë”, tha Doracaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA