Tre persona që kanë kultivuar lëndë narkotike janë arrestuar nga policia e Beratit, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim si autor i dyshuar.
Forcat blu bëjnë me dije se është arrestuar Kryetari i fshatit Zhitom i Vogël dhe Inspektori i Pyjeve si dhe procedohet penalisht Kryetari i fshatit Bistrovicë, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallzim krimi”.
“Shërbimet e Policisë së DVP Berat, në bazë të informacioneve të siguruara si dhe në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, kanë evidentuar në fshatin Zhitom i Vogël, Poliçan dhe në fshatin Bistrovicë, Dimal bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan, arrestuan në flagrancë shtetasin M.S., 60 vjeç, banues në fshatin Zhitom i Vogël, pasi në afërsi të tokës së tij u gjetën bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa.
Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan arrestuan në flagrancë dhe shtetasit P.Q., 56 vjeç, me detyrë Kryetar i fshatit Zhitom i Vogël dhe J.L., 52 vjeç, me detyrë Inspektor i Shërbimit Pyjor, pasi dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim Krimi”, njofton policia.
Ndërsa në Dimal, u shpall në kërkim shtetasi Sh.Dh., 46 vjeç, banues në fshatin Bistrovicë, pasi në ullishten në pronësi të tij u gjetën bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa.
Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi J.A., 70 vjeç, me detyrë Kryetar i fahatit Bistrovicë, pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre”
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
Top Channel