Gjermania frikësohet se 8 mijë persona kanë marrë ujë me kripë në vend të vaksinës

12/08/2021 20:55

Autoritetet në veri të Gjermanisë u kanë kërkuar më shumë se 8,000 personave që të vaksinohen sërish kundër koronavirusit, pasi një infermiere dyshohet se u ka dhënë atyre ujë me kripë, në vend të dozës së vaksinës.

Policia është duke hetuar veprimet e infermieres në një qendër vaksinimi në Friesland.

Fillimisht është besuar se vetëm gjashtë persona kanë marrë ujin me kripë në muajt mars dhe prill.

Shumica e personave që besohet se kanë marrë këtë substancë të padëmshme janë mbi moshën 70-vjeçare, të cilët hyjnë në kategorinë e rrezikuar nga pandemia.

Inspektori Peter Beer, është cituar të ketë thënë, sipas së përditshmes gjermane, Süddeutsche Zeitung, se infermierja 40-vjeçare ka shpërndarë edhe “informacion kritik për koronavirus” nëpër rrjetet sociale, duke kritikuar kufizimet e qeverisë që kanë synuar të ndalin virusin.

Transmetuesi rajonal gjerman, NDR, ka thënë se 8,557 personave u është kërkuar të përsërisin vaksinimin, dhe deri më tani rreth 3,600 termine të reja janë konfirmuar.

Në muajin prill, infermierja e ka pranuar se u ka dhënë gjashtë personave ujin e kripur, për të fshehur faktin se e ka fshehur në dysheme dozën e vaksinës.

Mirëpo teksa hetimet janë zgjeruar, është kuptuar se më shumë persona mund të kenë marrë këtë substancë, në vend të vaksinës së prodhuar nga kompania Pfizer/BioNTech.

Policia nuk ka hedhur poshtë mundësinë që ndonjë motiv politik ka nxitur veprimet e infermieres, ndonëse avokatët e saj kanë hedhur poshtë diçka të tillë.

Gjermania është përballur disa herë me protesta kundër vaksinimit.

Grupet e ekstremit të djathtë janë mesin e atyre që kanë refuzuar të dhënat zyrtare dhe konkluzionet rreth COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA