Disa vatra aktive në vend/ Reshjet e shiut dhe breshëri i fikën zjarret në Kukës, por flakët u rikthyen sërish 

12/08/2021 15:12

Një vatër zjarri është aktivizuar në fshatin Rradat të Dropullit ditën e sotme.

Një banor lajmëroi në redaksinë e Top Channel duke theksuar se qytetarët janë të alarmuar se mund të përhapet drejt fshatit. Ata kërkuan ndërhyrje për të shmangur katastrofën si në zonat e tjera të Shqipërisë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në të gjithë vendin kanë mbetur pak vatra zjarri ende të pashuara, ndërsa tashmë është fituar beteja në Karaburun e Dukat.

Pas përpjekjeve disa ditore të forcave të zjarrfikëseve, policisë ushtarake dhe forcave operacionale të Shqipërisë dhe Kosovës, ishin reshjet e shiut dhe të breshrit ato qe vunë nën kontroll flakët e zjarrit mbi tunelin e Kalimashit.

Por mëngjesi i sotëm, ka nisur me një riaktivizim të këtyre vatrave për shkak të erës së fortë. Në Majën e Rrunës po punohet për shuarjen përfundimtare edhe të disa vatrave të vogla njofton ministria. Të gjitha vatrat që ishin në fshatrat Thirrë, Munellë e Domgjon në bashkinë Mirditë janë shuar.

Mbetet ende një vatër në fshatin Patalej në bashkinë Lezhë, ku është angazhuar edhe një helikopter për shuarjen e flakëve nga ajri. Ndërkohë është raportuar një vatër zjarri në zonën pyjore, në malin e Tërbunit në Pukë.

Top Channel