Pas 2 javësh në betejë me zjarret në të gjithë territorin e Shqipërisë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se kjo e mërkurë paraqitet më e qetë.
Aktualisht janë 9 vatra aktive, ndërsa në të gjithë vendin janë shuar 175 zjarre. Ndërhyrja po vijon në Dukat të Ri, në fshatin Thirrë të Mirditës, ndërsa nën kontroll po mbahen vatrat në fshatin Munellë dhe Domgjon.
Po ashtu ndërhyrja vijon nga toka dhe nga ajri për të izoluar vatrat e zjarrit në “Majën e Rrunës” në Kukës, ndërsa nuk ka më rrezik për tunelin e Kalimashit. Nën monitorim janë disa vatra zjarri në vendin e quajtur Dragodi, në Luginën e Valbonës në Tropojë, ku dyshohet për zjarr-vënie të qëllimshme.
Janë izoluar vatrat në drejtim të fshatit Patalej në Lezhë, ndërsa vijon puna për normalizimin e vatrës së riaktivizuar në zonën e Mbrojtur te Guri i Nikës në Pogradec, ku nuk paraqitet rrezik për banesa. Po ashtu janë drejt shuarjes përfundimtare vatrat e zjarrit në Malin e Tomorrit dhe në fshatin Therepel në Skrapar.
Ndërkohë Tatjana Haxhiaj është viktima e dytë e zjarreve në Shqipëri. Ajo humbi jetën këtë të mërkurë, 8 ditë pas bashkëshortit nga zjarret në Lunxhëri. ata ishin në shtëpinë e tyre në fshatin Asim Zeneli kur flakët u afruan me shpejtësi nga zonat ku zjarret digjeshin prej disa ditësh.
Andrea humbi jetën në vend teksa së bashku me bashkëshorten, po përpiqeshin të shuanin flakët në shtëpinë e tyre. Ajo u dërgua me plagë të rënda në spital por nuk i mbijetoi dot djegies.
Tri fshatra në Asim Zeneli, Arshi Lengo dhe Krina në Njësinë Administrative Lunxhëri – Antigone u pushtuan atë ditë nga flakët, ndërsa forcat e ushtrisë dhe banorët luftuan për orë të tëra më flakët.
Në mbrëmje banorët u detyruan të largohen pasi flakët u bënë të papërballueshme. pas kësaj tragjedie ministria dha urdhra të menjëhershëm evakuimi për të gjitha fshatrat e kërcënuar nga zjarret sic ndodhi me Gjormin në Vlorë pak ditë më pas.
Top Channel