Zjarri mbi tunelin e Kaliashit mori përmasa të frikshme mbrëmjen e kaluar.
Një vatër zjarri e aktivizuar 8 ditë më parë doli jashtë kontrolli pasi flakët u fuqizuan prej erës. Gjatë natës u punua për vënien në kontroll të flakëve ku bashkuan forcat zjarrfikës e ushtarë nga Shqipëria dhe Kosova. Por vendimtare ka qenë ndërhyrja nga ajri me helikopter në orët e para të mëngjesit.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici ka folur për situatën në këto momente duke thënë se është nën kontroll. Vatra aktive me përmasa të mëdha mbetet në Majën e Rrunës, ndërsa thotë se nëse era do të jetë e fortë, mund të rrezikohen banesat.
“Situata tek tuneli i Kalimashit është nën kontroll, nuk kemi problem. Sa i përket vatrave të tjera të zjarrit, vatra më e rrezikshme është e Majës së Rrunës dhe patjetër që ndërhyrja e helikopterit që në mëngjes ka bërë që të zvogëlohet zjarri. Pra situatë të vështirë kemi në Majin e Rrunës se është e shpërndarë në disa vatra dhe forcat zjarrfikëse nga toka, bashkë me forcat e Kosovës janë në terren, janë ndarë grupe grupe për ndërhyrje nga toka, por terreni është jashtëzakonisht i vështirë se zjarrfikëset nuk futen dot.
Në tunelin e Kalimashit nuk kemi asnjë problem, situata është totalisht nën kontroll, as mbrëmë nuk është pezulluar asnjë sekond rruga për të kaluar mjetet dhe njerëzit por edhe sot është situata nën kontroll. Pra problemi që kemi ne tani është situata në majën e Rrunës, pavarësisht se është larg qendrave të banuara. Por nëse do të ketë erëra të forta, vija e zjarrit do të afrohet dhe do të ketë banesa në rrezik që nëse ndodh do të bëhet plani i evakuimit për banorët. Por pa helikopter nga ajri, nuk mund të shuhet vatra në Majën e Rrunës. Dyshohet se këto zjarre janë me qëllim, por deri tani nuk kemi autor përveç njërit që është kapur në Gjallicë. Ekspertët po bëjnë veprimet e tyre për t’ia vënë në dispozicion dhe organeve ligjzbatuese”, tha Gjici.
Top Channel