Durrës/ Arrestohen 2 shoferë, shpallen në kërkim dy vëllezër për kultivim droge

10/08/2021 10:23
Foto ilustruese

Dy persona janë shpallur në kërkim në Krujë për kultivim të bimëve narkotike.

Vëllezërit e identifikuar si F. Ç., 47 vjeç dhe A. Ç., 38 vjeç, banues në Larushk, Krujë, gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe toke në pronësi të tyre, të mbjellë me prodhime bujqësore, shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa.

Ndërsa dy drejtues mjetesh janë arrestuar në flagrancë në Durrës pasi kanë shkaktuar aksidente. Njëri ka qenë duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi, ndërsa tjetri ishte në gjendje të dehur.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit: E. Sh., 34 vjeç, banues në Durrës, pasi duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, ka goditur motoçikletën me drejtues shtetasin I. V., 61 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën;

A.N., 47 vjeç, banues në Durrës, pasi duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Seat”, është përplasur me një tjetër mjet, duke i shkaktuar dëme materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, forcat blu japin detajet e para rreth të shtënave me armë zjarri në autostradën Durrës-Tiranë dhe për zjarrin që ka rënë në një dyqan në Fushë Krujë gjatë mbrëmjes së kaluar.

“Durrës/ Më datë 10.08.2021, në orën 01:45, në autostradën Durrës-Tiranë, një person ende i paidentifikuar i cili qarkullonte me automjet dyshohet se ka qëlluar në ajër me armë zjarri. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Krujë/ Më datë 09.08.2021, rreth orës 23:25, në Fushë Krujë, ka rënë zjarr në dyqanin me goma të përdorura në pronësi të shtetasit R. K. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, njofton policia.

Top Channel