27 hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit nisën ditën e sotme punën, pas muajit të parë të trajnimit bazë.
Nëntë u vendosën në OPGJ-në e ish-Krimeve të Rënda, 4 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Kukës, 3 në Prokurorinë e Përgjithshme.
Rrugëtimi i 27 hetuesve të FBI-së Shqiptare filloi me procesin e përzgjedhjes gjatë muajit Tetor të vitit 2020 dhe ka përfshirë teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës.
Ndërsa më pas iu nënshtruan trajnimit për “Armët, Sigurinë dhe Aftësitë e Mbijetesës”, trajnimin me Drejtorinë Italiane të Hetimit dhe Antimafias (DIA) si dhe trajnimin me Byronë Federale të Hetimit SHBA-ve (FBI).
Byroja Kombëtare e Hetimit drejtohet nga Aida Hajnaj e cila mbas një kohe të gjatë e vetme në detyrë kryeson një institucion, që përfundimisht bëhet funksional dhe vendoset nën urdhrat e SPAK.
Anëtarët e BKH-së do të rekrutohen dhe monitorohen për dy vite nga ekspertët e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim dhe së fundmi zv. ambasadori amerikan Demian Smith kanë bërë thirrje për vënien para drejtësisë të kriminelëve dhe lulëzimin e drejtësisë në vendin tonë.
Zv.ambasadori amerikan Demian Smith para disa ditësh i krahasoi 27 hetuesit e BKH me kapitullin e ri të drejtësisë efikase dhe të besueshme.
Soreca më parë vuri theksin te lufta e SPAK dhe BKH kundër krimit dhe korrupsionit, ku shtoi se duhet të ketë figura të nivelit të lartë që të dënohen.
Ndërsa Kim prej kohësh bën thirrje të vazhdueshme për të çuar përpara Reformën në Drejtësi.
Top Channel