Greqi/ Mitsotakis kërkon falje për mangësitë në menaxhimin e situatës së zjarreve

09/08/2021 22:52

Ndërsa beteja me zjarret në Greqi ka hyrë në ditën e tetë të saj dhe në ishullin e Evias ende zjarrfikësit nuk mund të kontrollojnë flakët në veri të tij, kryeministri Kyriakos Mitsotakis me një mesazh televiziv drejtuar qytetarëve ka kërkuar falje për çdo dobësi që është vënë re në frenimin e këtyre zjarreve masive.

Ishin mbi 586 zjarre ka thënë ai të cilat kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha të tokës pyjore dhe kanë detyruar qindra njerëz të evakuohen nga vendbanimet gjatë javës së kaluar, ndërsa ka premtuar se të gjithë ata që humbën shtëpitë dhe pronat e tyre do të kompensohen, zonat e djegura do të ripyllëzohen dhe do të fillojnë menjëherë punimet për mbrojtjen nga përmbytjet.

Unë jam i pari që kërkoj falje për çdo dobësi. E kuptoj plotësisht dhimbjen e bashkëqytetarëve tanë që panë shtëpitë ose pronat e tyre të digjeshin. Është e qartë se kriza klimatike po prek të gjithë planetin. Me zjarre që zgjasin me ditë. Ky është shpjegimi, por jo justifikim, apo alibi. Ne mund të kemi bërë gjithçka që ishte e mundur nga ana njerëzore, por në shumë raste kjo nuk dukej të ishte e mjaftueshme në betejën e pabarabartë me natyrën”, tha Mitsotakis.

Ndërsa vazhdon beteja me flaket në Evia, por edhe në disa vatra në Peloponez, nga zjarrfikësit,vullnetarët dhe banorët , është regjistruar viktima e tretë në Greqi në periudhën e zjarreve, një 70 vjecar qe duke kryer punime për krijimin e një brezi kundër flakëve, ka rënë me mjetin në një humnere prej 30 metrash.

Pasditen e së hënës zyra e prokurorit të Gjykatës së Lartë, ka urdhëruar një hetim për ekzistencën e mundur të një plani të organizuar zjarrvëniesh duke i dhënë një dimension të ri shkaqeve të zjarreve katastrofike.

Shërbimi zjarrfikës ka bërë me dije se gjithsej 21 shtete kanë ndihmuar Greqinë nëpërmjet Mekanizmit European të Emergjencave apo të marrëveshjeve dypalëshe, duke dërguar 1236 zjarrfikës, 19 avionë apo helikopterë dhe  246 mjete.

Ndërkohë që ende po vlerësohen dëmet të cilat thuhet se janë në mbi 0.5 % të PBB të Greqisë, po punohet edhe për riparimin e rrjetit të energjisë elektrike në mbi 70000 shtëpi dhe biznese në të gjithë vendin, përveç ishullit Evia ku do të fillohen punimet pasi të jenë fikur zjarret.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA