Të shkujdesur, vendas e të huaj po shijojnë pushimet në plazhet e shumta të detit Adriatik, ndërsa rritja e numrit të të infektuarve me variantin Delta i ka bërë një pjesë të tyre më të kujdesshëm.
”Ne jemi të vaksinuar, ndaj jo. Nuk e kemi problem.”
”Kemi si s’kemi frikë. Sa të duash. Vetëm këtu nuk e mbajmë maskën, në market e kudo e mbajmë.”
”Jam vaksinuar. Ne zbatojmë këshillat e mjekëve, atyre të shkencës. Patjetër jemi më të mbrojtur.”
”Nuk kam frikë hiç fare.”
Temperaturat e larta dhe virozat e stinës, në kushtet e rritjes së numrit të infektimeve nga varianti Delta kanë sjellë një shtim të pacientëve që paraqiten për kontroll shëndetësor pranë qendrave verore që funksionojnë në bregdet.
”Këtu është një zonë e mbipopulluar dhe fluksi arrin 70-75 vizita në ditë.”
Temperatura, dhembjet e fytit, kolla, ethet e rrufa janë simptomat bazë të variantit Delta, po tepër të ngjashme me ato të virozës së stinës, ndaj anamneza e pacientit, vlerësimi i tij nga ana e mjekut çojnë në kryerjen ose jo të testit për covid- 19.
”Varet nga vlerësimi i pacientit që duhet të ketë simptoma që të bëjmë dhe testin pasi shumica e rasteve janë viroza të stinës, gastrointeritet.”
Shumë teste të shpejta Covid-19 janë kryer gjatë këtij sezoni në qendrat shëndetësore verore të Durrësit. Vetëm në qendrën e Shkëmbit të Kavajës janë kryer 46 teste nga të cilat kanë rezultuar pozitiv 5 turistë të cilët më pas janë izoluar.
Mjekët bëjnë apel për vaksinim, kujdes të shtuar dhe distancim në ambientet e mbipopulluara.
”Kujdesi dhe distancimi me personat që janë në kontakt dhe vendet që janë të tejmbushura. Diçka tjetër shqetësuese janë dhe problematikat që lidhen me ushqimin, gastrointeritet që janë shumë të shpeshta. Kujdes duhet bërë dhe me temperaturat që janë të larta dhe faktorë për çrregullimet gastrointestinale.”
Top Channel