Aguero dëmtohet dhe mund të mungojë gati 3 muaj, rriten shanset e qëndrimit për Manajn

09/08/2021 14:56

Shtyhet debutimi i Sergio Agueros me Barcelonën. Sulmuesi argjentinas i cili është edhe një nga afrimet e mëdha të Barçës në këtë merkato verore ka pësuar një dëmtim në pulpën e këmbës së djathtë dhe analizat të cilave u është nënshtruar së fundmi El Kun kanë vërtetuar që Agueros do t’i duhet të qëndrojë për 10 javë jashtë fushave të futbollit.

Shtohen dhimbjet e kokës për trajnerin holandez, Ronald Koeman i cili pasi humbi Lionel Messin i duhet të bëjë edhe pa Sergio Agueron në javët e para të sezonit të ri në La Liga.

Barcelona do të nisë kampionatin në datën 15 gusht me sfidën ndaj Real Sociedad në Camp Nou, por ish-sulmuesit të Manchester City-t do t’i duhet të presë muajin nëntor për të debutuar në një ndeshje zyrtare me katalanasit.

Aguero pasi i përfundoi kontrata me Manchester City-n zgjodhi ta vazhdonte karrierën pikërisht te Barcelona për shkak të Lionel Messit dhe me largimin e yllit argjentinas, qarkulluan zëra edhe për një lamtumirë të menjëhershme të El Kun nga Barça, zëra që u hodhën poshtë nga vetë sulmuesi 33-vjeçar. Me dëmtimin e Sergio Agueros rriten ndërkohë shanset që Rey Manaj i cili ka marrë rregullisht minuta në miqësoret e kësaj vere me Barçën të qëndrojë në Camp Nou dhe të jetë pjesë e skuadrës së parë në sezonin e ri të La Ligas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA