Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka zbritur sot në terren për të monitoruar situatën e zjarrit në Karaburun.
Leli tha se shërbimi zjarrfikës i Vlorës është i stacionuar në Dukat për çdo rast ndërhyrjeje dhe agravimi të situatës.
‘Shpresojmë që shumë shpejt ti japim fund kësaj gjëje të shëmtuar’, u shpreh Leli, ‘e cila nuk dëmton vetëm pyjet por dhe turizmin’.
Dritan Leli: Sot ka një riaktivizim të vatrës së zjarrit mbi fshatin Dukat, është ende larg banesave. Ka filluar në orët e para të mëngjesit, rreth dy orë ka punuar helikopteri nga ajri për fikjen e kësaj vatre të riaktivizuar. Nga komunikimi që kam pasur me ministrin Peleshi do të ketë vazhdimësi gjatë ditës për fikjen e zjarrit po përsëri nga ajri, sepse për shkak të terrenit është plotësisht e pamundur që njësitë zjarrfikëse të shkojnë në atë pjesë të terrenit.
Do doja të kishte fund sa më shpejt zjarrëvënia e qëllimshme dhe ti kthehemi normalitetit që të vazhdojmë dhe të çojmë përpara industrinë e turizmit.
Kryebashkiaku foli edhe për lajmin e bërë publik ditën e djeshme, në lidhje me pagesat e zjarrfikësve të Vlorës, të cilët nuk janë paguar prej dy muajsh me pagat e gatishmërisë.
Ata kanë marrë vetëm 20 orë pune ndërkohë qe kanë 90 orë plus të cilat janë gati 30 mije leke që u duhet paguar nga bashkia. Po ashtu rrobat e zjarrfikëseve, pantallona, bluza, etj etj kanë vite qe nuk i kanë marrë dhe çdo gjë e blejnë me shpenzimet e tyre.
Sipas Lelit, kufizimet ligjore janë bërë pengesë që zjarrfikësit, të cilët janë heronjtë e këtyre ditëve të vështira ku ndodhet vendi me flakët. Ai shtoi më tej se ata do të marrin paratë që i takojnë dhe çdo orë pune do të paguhet!
Dritan Leli: Zjarrfikësit e qytetit të Vlorës janë paguar të gjithë për të gjitha orët e punës së zakonshme, për orët shtesë dhe do të paguhen për të gjitha orët shtesë që kanë mbetur të papaguara për shkak të kufizimit ligjore që ka për pagesën e tyre. Çdo orë punë e tyre do të paguhet!
Top Channel